Trajneri i Kroacisë, Slaven Biliç, ka kritikuar paraqitjen e gjyqtarit anglez Hauard Ueb në barazimin 1-1 të kombëtares së tij kundër Italisë. Ndonëse kroatët duhet të jenë të lumtur me pikën e marrë që i mban në garë për kualifikimin, trajneri nuk ka ngurruar të shprehë pakënaqësinë e tij.
“Shumë trajnerëve nuk u pëlqen të flasin për gjyqtarët, por unë nuk jam dakord me këtë gjë. Ndoshta do të dukem person objektiv, por kishte një penallti në favor të Nikica Jelaviç ndërsa faulli para goditjes së dënimit të golit të Pirlos ishte inekzistent. Nuk dua të ngjall polemika, por gjyqtari favorizoi Italinë”, ishte akuza e tij ndaj “bilbilit” anglez.
Pavarësisht zhgënjimit, Biliç ka vlerësuar skuadrën e tij që arriti të rikuperonte disavantazhin pas golit të Pirlos.
“Kur luan përballë një skuadre të madhe, nuk është e lehtë të mbash topin. Ne pritëm për shanset tona. Ata ishin më mirë në pjesën e parë por edhe ne luajtëm mirë dhe krijuam raste, ashtu siç bëmë në pjesën e dytë. Iu afruam shumë fitores, ishte një ndeshje e mirë dhe mbetem i kënaqur me rezultatin”, tha ai.
Ndërkohë, mbrojtës Darijo Srna është i bindur se kjo skuadër mund të kualifikohet si e para në grup duke mundur Spanjën.
“Spanjollët janë qenie njerëzore, me mish dhe gjak, ashtu si ne, ndaj do të luftojmë kundër tyre. Kemi besim të lartë, ky është një grup i vështirë, por mendoj se mund t’ia dalim”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Grupi C
Spanjë-Itali 1-1
63’ Fabregas / 61’ Di Natale
Irlandë-Kroaci 1-3
19’ Sent Lexher / 3’, 49’ Manxhukiç, 43’ Jelaviç
Itali-Kroaci 1-1
39’ Pirlo / 72’ Manxhukiç
Spanjë-Irlandë 4-0
4’, 70’ Torres, 49’ Silva, 83’ Fabregas
Renditja
Spanjë 4 5-1
Kroaci 4 4-2
Itali 2 2-2
Irlandë 0 1-7
18.06.2012
Kroaci-Spanjë 20:45
Gdansk (Poloni)
Itali-Irlandë 20:45
Poznan (Poloni)
Friday, 15 June 2012 10:50