Interi ka zgjedhur dy rrugë të reja dhe shumë të vështira. E para është bilanci ekonomik dhe fundi i shpenzimeve të çmendura të viteve të mëparshme. E dyta është t’i besohet një brezi më të ri lojtarësh, me shumë prej veteranëve që duhet t’i japin shumë shpejt lamtumirën skuadrës.
Rruga e parë është ajo që ka zgjedhur presidenti Masimo Morati, që ka paralajmëruar tifozët për sakrifica të mëdha, ndoshta edhe në aspektin sportiv. “Shpresoj që të mos kthehemi në kohën e blerjes së Vierit, pasi atëherë ishte gjithçka e gabuar. Duhet të jemi të kujdesshëm me bilancet, si për rregullat e reja të UEFA-s, ashtu edhe për menaxhimin e rregullt të ekipit”, tha Morati para mbledhjes së bordit drejtues të klubit.
Kuptohet që investimet e kufizuara ulin edhe cilësinë e skuadrës në fushën e lojës, pasi nuk bëhet më fjalë për blerjen e kampionëve të “gatshëm”, por rritjen e atyre ekzistues. “Pjesa e parë ndaj Kievos nuk më pëlqeu, por të paktën skuadra diti si të vuajë”, ishte komenti i Moratit.
Por presidenti i zikaltërve nuk ka folur për temën më të nxehtë, atë që përshkon rruga e dytë e zgjedhur nga trajneri Stramaçioni, largimin e veteranëve. Në ndeshjen kundër Kievos, në stolin e rezervave ka qëndruar përsëri kapiteni Zaneti, i cili në skemën me 3 mbrojtës të Stramaçionit nuk gjen më hapësira.
“Çfarë do të bëj vitin tjetër? Nuk e di. Nuk e di a është ky vitit im i fundit si futbollist, të shoh se si mbaron ky sezon e pastaj të shohim. Më dhembi shumë të qëndroja në stol në ndeshjen e fundit, por mbetem në dispozicion të trajnerit”, ishin fjalët e Zanetit që ka evituar polemikat. Por burime pranë klubit kanë bërë të ditur se kapiteni legjendar po mendon të bëjë një bisedë serioze me Stramaçionin për të mësuar me saktësi për të ardhmen e tij. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 September 2012 14:10