Atletik Bilbao ka konfirmuar se trajneri Marcelo Bielsa do të largohet nga klubi në fund të kontratës së tij ekzistuese. Kjo do të thotë se tekniku i njohur do të lërë drejtimin në fund të muajit qershor, me presidentin Hosu Urruti që konfirmoi se vendimi i marrë kishte qenë i përbashkët.
Bielsa dërgoi këtë skuadër si në finalen e Europa League, ashtu edhe në atë të Kupës së Mbretit në sezonin 2011-2012, por në edicionin e fundit, kjo skuadër mbylli kampionatin në vendin e 12-të e kushtëzuar sidomos nga largimi i Havi Martinez drejt Bajern Mynih dhe ulja në stol e Fernando Jorente, i cili kërkonte të prishte kontratën me klubin.
“Në takimin e fundit të bordit për këtë sezon, vendosëm në unanimitet që të mos i propozonim trajnerit Marcelo Bielsa zgjatjen e kontratës. E kuptoj që ka shumë tifozë që do të dëshironin që ai të vazhdonte dhe është e drejtë të vlerësohet puna dhe përkushtimi i tij, por kjo është rruga më e mirë për Atletik Bilbaon”, konfirmoi Urruti.
Bielsa kërkoi të largohej nga drejtimi i ekipit një vit më parë, por drejtuesit insistuan që ai të respektonte deri në fund kontratën. Për trajnerin tani interesohet skuadra e Romës në Itali. (LajmeShqip.com)
Saturday, 08 June 2013 10:56