Bernard Tapi, ish-presidenti i Olimpik Marsejës nga viti 1986, deri në vitin 1994, është një nga personat që njeh shumë mirë rivalitetin me PSZH dhe para ndeshjes së fundjavës mes dy ekipeve, ka ndezur atmosferën me deklaratat e tij kundër skuadrës parisiene.
Pas një kritike kundër trajnerit Ançeloti, duke e cilësuar një teknik “të pakuptueshëm” që “nuk dallohet se çfarë bën në pankinë”, ai ka sulmuar Zlatan Ibrahimoviç.
“Është shumë e thjeshtë. Nëse dëshiron të kesh sulmuesin më të mirë në kampionat, e blen me sy të mbyllur. Por edhe nëse dëshiron që skuadra jote të luajë me 10 lojtarë në 80% të ndeshjeve, pasi nuk dihet mirë se çfarë i kalon në mendje, atëherë e blen përsëri atë. Në kampionatin francez, Ibrahimoviç ka luksin të luajë kështu pasi jo të gjitha ndeshjet luhen fort. PSZH ka aq shumë diferencë në krahasim me ekipit e tjera, sa mund të luajë lehtësisht me 10 lojtarë dhe Ibrahimoviç mund të shënojë gjithmonë”, tha ai, duke akuzuar suedezin se ka zgjedhur mënyrën më të thjeshtë për t’u cilësuar një golashënues i mirë.
“Ai nuk mund të sillet në këtë mënyrë në kampionate me të forta, si ai anglez për shembull. Sipas jush, pse Real Madrid, Bajern Mynih apo klubet e mëdha angleze nuk e kanë dashur asnjëherë? Ai nuk është Mesi! Ibra ka një defekt shumë të madh, se është i paqëndrueshëm”, ishte kritika e Tapi, që pritet të marrë një përgjigje shumë të shpejtë nga suedezi që adhuron polemika të tilla. (LajmeShqip.com)
Friday, 22 February 2013 10:06