Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, i ka bërë vizitë sot skuadrës për të diskutuar me lojtarët situatën e krijuar dhe sidomos mungesën e rezultateve pozitive në këtë fillim sezoni.
Numri 1 i kuqezinjve ka zbarkuar me helikopter në ambientet e klubit dhe pasi ka takuar lojtarët, duke filluar nga El Sharaui, ka ndjekur stërvitjen për ndeshjen e rëndësishme kundër Napolit.
“Nëse Alegri është ende këtu, do të thotë se kam besim te ai. Kjo është një periudhë e pafat, të mos harrojmë se çfarë ka fituar ai më përpara. Në 26 vite që jam në drejtim të Milanit, është ndërruar vetëm 2 herë trajneri gjatë sezonit, kjo është një traditë pozitive e jona”, tha ai.
“Nuk jam këtu për të shtyrë përpara skuadrën, pasi e di që duhet gjë tjetër për ta bërë një gjë të tillë. Nga sot rifillohet nga e para, dua të kthehem afër Milanit dhe të rikuperoj atë që kam humbur gjatë këtyre viteve”, deklaroi ish-kryeministri italian i cili me sa duket do të kthehet përsëri aktiv pranë skuadrës kuqezi.
Berluskoni ka përfituar nga situata për të përsëritur se pse u mor vendimi për të ndryshuar kaq shumë në skuadër.
“Pashë golin e Ibrahimoviç me Suedinë. Çfarë goli! Më erdhi keq që e pashë të largohej por duhet të përballemi me krizën. Janë larguar 12 senatorë dhe kemi bërë një ndryshim total gjeneratash. Kemi kursyer 160 milionë euro, fatkeqësisht ishte e pamundur t’i mbanim ato lojtarë në një periudhë krize kaq të thellë. Pas shumë viteve festë me havjar dhe shampanjë, duhet të kemi durim”, tha Beluskoni i cili foli edhe për atë që mund të jetë e ardhmja e kësaj skuadre.
“El Sharaui është një djalë me këmbë në tokë, e nëse do të ndryshonte model flokësh do të ishte edhe më mirë. Por kështu të paktën është më i dallueshëm. Pato duhet të kthehet përsëri ai që ishte, lojtari më i fortë që kishim në skuadër. Baloteli? Më pëlqen shumë”, ishte komenti i Berluskonit para gazetarëve në kthimin tij në jetën aktive të Milanit. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 November 2012 15:35