Silvio Berluskoni ka shkarkuar Masimiliano Alegrin nga drejtimi i Milanit. Kuptohet që nuk bëhet fjalë për një vendim që hyn në fuqi menjëherë, por që do të ekzekutohet në fund të sezonit, kur kuqezinjtë do të synojnë të afrojnë në skuadër Pep Guardiolën.
Konfirmimi ka ardhur nga vetë presidenti i kuqezinjve, i cili është hutuar para gazetarëve dhe vetëm pak minuta pasi kishte përgëzuar personalisht Alegrin për kualifikimin në Ligën e Kampioneve, ka lëshuar bombën e radhës për klubin kuqezi.
“Do të provojmë të marrim Guardiolën”, ishin fjalët e numrit 1 të kuqezinjve që në këtë mënyrë ka bërë të qartë se trajneri aktual i ka ditët të numëruara, ndonëse ka një kontratë deri në vitin 2014 dhe klubi vazhdimisht e ka mbrojtur atë duke e konfirmuar në drejtimin e skuadrës.
“Nuk dua dhe nuk mund të vendos unë se kush do të jetë trajneri i ardhshëm i Milanit. Nuk i përgjigjem pyetjeve mbi trajnerin e ardhshëm edhe për faktin se nuk kam argumente për të folur rreth një çështje të tillë”, ishin fjalët e trajnerit aktual që u shfaq dukshëm shumë i mërzitur rreth kësaj deklarate të papritur të presidentit Berluskoni.
Tashmë kuptohet se klubi vazhdon ta mbështetë në mënyrë që ai të marrë maksimumin nga skuadra deri në fund të këtij sezoni, ku me shumë mundësi do të largohet për t’i bërë vend Guardiolës apo një prej emrave të tjerë të përfolur gjatë muajve të fundit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 November 2012 15:35