Tiago Silva dhe Zlatan Ibrahimoviç i janë shitur PSZH. Konfirmimi ka ardhur nga vetë pronari i Milanit, Silvio Berluskoni, i cili gjatë një mbledhje me drejtuesit e koalicionit politik që drejton, u ka konfirmuar aleatëve marrëveshjen e përfunduar me klubin francez për të dy lojtarët.
“Po, i kam shitur Ibrahimoviç e Tiago Silva te PSZH. Do të kursejmë 150 milionë euro në dy vite. Për një shifër të tillë nuk mund të thuhet jo, do të ishte veprim prej të papërgjegjshmi°, kanë qenë fjalët e Berluskonit, sipas asaj që raportohet nga agjensia e lajmeve ANSA.
Por e vetmja gjë që mungon për zyrtarizimin e marrëveshjes është firma e Ibrahimoviç, i cili nuk ka gjetur ende akordin personal me klubin francez përsa i përket rrogës së tij. Sulmuesi suedez kërkon të përfitojë sa më shumë dhe pretendon që në kontratën e re katërvjeçare të paguhet të paktën 12 milionë euro në vit, aq sa mer aktualisht te Milani, dhe jo 9 milion euro siç i propozojnë parisienët.
Për këtë arsye, menaxheri i tij Mino Raiola, sot ka qenë në Paris ku ka diskutuar për rreth 3 orë me drejtorin sportiv të PSZH, Leonardo. Megjithatë, mendohet se akordi mund të gjehet në një mënyrë tjetër: 12.5 milionë euro në vit për 3 sezonet e ardhshme.
Ndërsa për Tiago Silva, marrëveshja është ajo e pak kohe më parë, me një kontratë pesëvjeçare nga e cila do të përfitojë 9 milionë euro në vit.
Në këtë situatë, të gjithë dalin të lumtur, sidomos Milani që kursen jo 150 por 170 milionë euro. Përveç 62 milionë eurove që përfitohen nga transferimi i menjëhershëm i dy lojtarëve, Milani eviton edhe pagesën e rrogave të të dy futbollistëve, ku për Ibran do të shpenzoheshin 48 milionë euro deri në fundin e kontratës së tij, ndërsa për Tiago Silva 60 milionë euro. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 July 2012 22:08