Barazimi i luftuar në fushën e Palermos mendohej se do të ishte një armë më shumë për Masimiliano Alegrin që të ruante vendin e punës si trajner i Milanit, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Mediat italiane raportojnë se presidentit Berluskoni nuk i ka pëlqyer aspak ajo që ka parë në fushën e lojës dhe ka kërkuar shpjegime nga administratori Galiani, i cili është detyruar të kritikojë publikisht trajnerin.
Galiani, i cili dukej i qetë dhe i kënaqur në tribunë për mënyrën se si u arrit barazimi 2-2, është parë ndërsa fliste në celular dhe që aty, sjellja e tij ka ndryshuar plotësisht, pasi mendohet se nga ana tjetër e linjës telefonike ishte pikërisht Berluskoni. “Ndryshime në rreshtim të kota dhe të tepërta”, ishte komenti i prerë që bëri administratori i Milanit pas ndeshjes, duke kritikuar për herë të parë trajnerin të cilin e ka mbrojtur në mënyrë të ethshme gjatë javëve të fundit, ndonëse ka konfirmuar se “nuk ka masa ndaj trajnerit”.
Vetë Alegri vazhdon të insistojë se skuadra merr shumë më pak sesa meriton me lojën që shfaq në fushën e lojës, ndonëse ka pranuar se këtë radhë, gabimi ishte edhe i tiji.
“Kemi humbur në mënyrë të pamerituar shumë pikë në fillim të kampionatit. Nuk them se duhej të kishim 8 pikë më shumë, por 3-4 të paktën po. Ndeshjen këtë radhë e nisa me një rreshtim tjetër që të lija pushim Emanuelson, por e kisha menduar që më parë që të aktivizoja Bojan. Secili trajner e sheh ndeshjen në mënyrën e vet. Unë mendoja se ndërrimet do të na ndihmonin, por nuk besoja se do të ishin 0-2 kur të aktivizoja Emanuelson e Bojan”, pranoi trajneri i Milanit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 14:10