Vizita e radhës e Silvio Berluskonit në stërvitjen e Milanit, ka shërbyer edhe për të sqaruar përfundimisht situatën në lidhje me zërat për blerjen e mundshme të Mario Balotelit nga kuqezinjtë.
“Baloteli? Jam keqinterpretuar për frazën e ëndrrave. Ai kushton shumë. Nuk është më koha për operacione të tilla merkatoje, disa gjëra nuk mund t’i bëjmë më”, ka pranuar ai, duke bërë të qartë se klubi italian nuk kishte ndër mend të bënte çmenduri për sulmuesin e aq më tepër të paguante 35 milion eurot që kërkon Mançester Siti.
Ish-kryeministri italian nuk ngurron të lëshojë thumbimin e radhës në adresë të brazilianit Pato, nga i cili pritet më shumë pasi është kthyer në hijen e futbollistit që shkëlqente dy sezone më parë.
“Kur do të kthehet Pato i vërtetë? Këtë pyetje e bëjmë të gjithë, edhe ai vetë. Kur zgjohet në mëngjes, pyet veten para pasqyrës: ‘Kush je ti?’”, ishte batuta e Berluskoni, por duke sqaruar pastaj se lojtari po ndiqet më vëmendje nga të gjithë pasi kuptohet që një situatë e tillë nuk i pëlqen askujt.
Nuk mund të mungonte edhe komenti për paraqitjet e fundit të skuadrës, që ka bërë hapa të rëndësishëm në renditje duke arritur t’i bashkohet ekipeve më të mira në kampionat. “Në klasifikim kemi rikuperuar pozicione. Tani jemi në grupin e atyre që quhen “skuadra të mëdha”, edhe pse mbetemi në fundin e këtij grupi. Tani duhet të vazhdojmë rikuperimin”, tha Berluskoni. (LajmeShqip.com)
Sunday, 09 December 2012 09:24