Dy gola të Karim Benzema dhe një gol i Kaka në 15 minutat e fundit të ndeshjes i kanë mjaftuar Real Madrid për të marrë një sukses 3-0 në Qipro dhe për të mbyllur praktikisht çerekfinalet e Ligës së Kampioneve përballë APOEL.
Madrilenët e kanë patur shumë të thjeshtë përballë vendasve, të cilët janë mbyllur në gjysmëfushën e tyre, pavarësisht mbështetjes së zjarrtë të 23 mijë tifozëve në stadium. Reali mund të kishte shënuar disa herë por Ozil, Benzema e Kristiano Ronaldo kanë falur para portës gjatë 45 minutave të para ku ekipi i tyre mbajti 70% topin dhe regjistroi 11 gjuajtje në portë përballë asnjë të vendasve.
Edhe pjesa e dytë shfaqi të njëjtën tablo, por këtë radhë madrilenët vendosën të mbyllnin praktikisht kualifikimin. Kaka, i futur në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes, gjeti Benzema, i cili nga një distancë e afërt devijoi topin në rrjetë në minutën e 74-t. Vetëm 8 minuta më vonë është vetë braziliani që gjen rrugën e rrjetës pas një aksioni të Marselos ndërsa rezultati 3-0 vuloset nga goli i dytë personal i Benzema, i gjetur saktësisht në zonë nga Ozil në minutën e 90-të.
Tashmë Reali mund të mendojë si të kursejë energjitë për ndeshjet e tjera në këtë fund sezoni pasi me këtë fitore, takimi i kthimit në “Santiago Bernabeu” është thjesht formalitet. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 27 March 2012 22:38