Ka mjaftuar një batutë e Rafael Benitez për të krijuar polemikën e radhës brenda skuadrës së Çelsit. Trajneri spanjoll ka sfiduar hapur kapitenin bluve, Xhon Terri, duke i bërë të qartë këtij të fundit se nuk e ka të garantuar një vend në formacionin titullar. Edhe pse Terri deklaroi se ishte gati për të zbritur në fushën e lojës në ndeshjen e Europa League kundër Sparta Pragës, Benitez e la atë në stol gjatë 90 minutave.
“Xhon Terri duhet të punojë shumë që të kthehet përsëri në formacion. Geri Kahill dhe Branislav Ivanoviç por ecin shumë mirë bashkë”, tha Benitez pas ndeshjes, duke bërë të qartë se mbrojtësi nuk e kishte të sigurt vendin në formacion. Mbrojtësi 32 vjeçar ka qenë titullar në vetëm 2 nga 25 ndeshjet e fundit të Çelsit, që nga momenti kur dëmtoi gjurin e djathë në një përplasje me Luis Suarez të Liverpulit me 17 nëntor.
“Gjatë javës ai kishte përsëri probleme me gjurin. Por një ditë më pas ai nuk i krijonte më shqetësime. Megjithatë, na duhet ta menaxhojmë këtë situatë. Nëse ai stërvitet më shumë me skuadrën, do të ketë më tepër mundësi për të luajtur. Ky është një rreth vicioz. Nëse nuk arrin të luajë, nuk mund të jetë në gjendje të mirë për ndeshjen”, tha Benitez, duke lëshuar një paralajmërim të qartë për kapitenin se në pjesën e mbetur të sezonit mund të jetë thjesht një rezervë luksi. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 February 2013 09:59