Rafael Benitez i hedh ujë zjarrit pas një konflikti në seancën stërvitore me Cristiano Ronaldon, i cili nuk e ka pranuar gjestin e trajnerit për t’i anuluar një gol. Në një konferencë për shtyp, ai komenton gjestin e portugezit por pa e dramatizuar situatën.
“Ai është një lojtar konkurrues dhe ky është çelësi i suksesit të tij. Ky është një virtyt dhe jo një difekt. Marrëdhënia ime me të është e njëjtë si më lojtarët e tjerë. Flas shumë me të gjithë, por me asnjë nuk kam marrëdhënie të veçantë. Disa njerëz flasin shumë por ju siguroj se nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që thuhen. E ritheksoj, me Cristianon kam marrëdhënie normale. Kur punon me të e kupton se sa kërkues është. Atij i pëlqen të fitojë sa më shumë sepse është lojtari më i mirë i botës. Do të doja që të gjithë lojtarët të kishin dëshirën e tij për të fituar”.
Një kapitull që mbyllet pa u hapur ende sepse në kampin madrilen duket se çështjet delikate janë sqaruar dhe nga kjo temë, Benitez përqëndrohet te projekti që ka nisur të ndërtojë në Madrid.
“Kam një plan të saktë për fazën përgatitore. Do të punojmë shumë për të qenë gati në fillim të sezonit. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur por nuk e kam ende të qartë se sa lojtarë do të jenë në formë të plotë për ndeshjen e parë. Kam në dispozicion një skuadër të mirë dhe përgjegjësia ime është që të punoj pasi merkatoja mbetet e hapur deri në 31 Gusht. Po përmirësohemi nga dita në ditë”.
Në fund, spanjolli i stolit Los Blancos kërkon të vendosë pikat mbi “I” në lidhje me dy emra të përfolur në merkato.
“De Gea nuk është lojtari jonë dhe nuk kam asgjë për të shtuar, ndërsa Sergio Ramos mbetet një lojtar kyç për skuadrën. Mendoj se do të jetë shumë i rëndësishëm në grupin tonë gjatë këtij sezoni. Unë jam 100% i bindur se do të qëndrojë me ne edhe pse në jetë nuk i dihet asnjëherë. Kam respekt për Van Gaal por Ramos mbetet lojtari i Realit të Madridit”.
Thursday, 23 July 2015 10:42