Rafa Benitez nuk do ta refuzonte një ofertë të Çelsit për t’u ulur në pankinën e kësaj skuadre. Ish-trajneri i Liverpulit ka folur për shanset që ka ai për të drejtuar ekipin londinez, duke lënë të kuptohet se ishte në pritje të një oferte të mundshme nga presidenti i “bluve”, Roman Abramoviç.
“Jam një trajner në pritje të një oferte ndaj nuk mund të ndal spekulimet me emrin tim. Njerëzit tani flasin për Çelsin. Aktualisht ata kanë Di Mateon në drejtim dhe shpresoj që ai të bëjë më të mirën pasi unë respektoj çdo trajner në detyrë”.
“Unë thjesht do të pres dhe të shoh atë që ndodh. Por si një trajner me eksperiencë që ka fituar tituj, Ligën e Kampioneve dhe Botërorin e Klubeve me skuadra nga Spanja, Anglia dhe Italia, jam i hapur për çdo ofertë”.
I pyetur nëse mund ta imagjinonte veten në stadiumin e Liverpulit si trajner i Çelsit (dy klubet kishin një urrejtje reciproke gjatë kohës kur Benitez ishte të “të kuqtë”) spanjolli u përgjigj: “Askush nuk mund ta mohojë se tifozët e Liverpulit më duan. Kur duam dikë, urojmë më të mirën për të! Të gjithë e kuptojnë se unë kam nevojë të punoj dhe ideja ime është të kem një skuadër që më jep mundësinë të fitoj trofe”, deklaroi Benitez.
Mediat angleze kanë spekuluar dje se emri tjetër në garën për stolin e Çelsit është suedezi Sven Goran Erikson, një prej të preferuarve të Roman Abramoviç para se drejtimi i ekipit t’i jepej Zhoze Murinjos, por atëherë ai ishte trajner i kombëtares angleze. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 10:03