Rafael Benitez insiston se ka zgjidhur një nga detyrat që i kishte vënë pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, para se ta punësonte, duke “riaktivizuar” Fernando Torres. Sulmuesi spanjoll dukej shumë pranë largimit nga londinezët për shkak të pasaktësisë para porte, duke u kthyer në zhgënjimin më të madh të historisë së klubit që e bleu për 50 milion paund.
Por me afrimin e trajnerit që e kishte drejtuar edhe te Liverpuli, ai arrin të shënojë më rregullisht, ndërsa ka realizuar 6 gola në 5 ndeshjet e fundit.
“Janë gjërat e vogla që bëjnë ndryshimin. E di që Fernando po luan më shumë, por tani ka më shumë besim në vetvete dhe po shënon gola. I kemi thënë që të qëndrojë rreth zonës dhe jo detyrimisht të gjendet para portës kur kemi ne topin, pasi kemi lojtarë si Hazard dhe Oskar që mund të veprojnë pas shpinës së tij”.
“Fernando i kupton këto dhe po përqiet të bëjë pikërisht këto lëvizje. Ai është një lojtar që mund të vrapojë pas mbrojtësve dhe po bën gjëra që është mësuar të bëjë gjatë karrierës së tij. Ai gjithmonë përpiqej shumë, ndoshta nuk ishte duke u përpjekur në pozicionin e duhur”, shpjegoi Benitez.
Megjithatë, Benitez la të kuptohej se Çelsi vazhdon të jetë në kërkim të një sulmuesi tjetër që me shumë mundësi do të afrohet gjatë merkatos së janarit. Ndonëse nuk konfirmoi nëse ai sulmues do të ishte Radamel Falkao, trajneri spanjoll la të kuptohej se Torres do të duhej të mësohej me konkurrencën në pozicionin e tij.
“Fernando e di që në një ekip elite duhet konkurrencë, nëse dëshiron të luash dhe të fitosh trofe. Do të jetë e rëndësishme të kemi opsione të ndryshme. Do të jetë në të mirë të tij dhe të skuadrës gjithashtu. Problemi në janar është gjithmonë se kush është në dispozicion për transferim”, përfundoi trajneri i Çelsit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 11:12