Emërimi i Rafael Benitez si trajneri i ri i Çelsit nuk është pritur mirë nga tifozët e kësaj skuadre, të cilët kujtojnë fjalët që ai ka thënë kundër londinezëve në kohën kur drejtonte Liverpulin.
Por tekniku spanjoll, në ditën e tij të parë të punës si trajner i londinezëve, u ka kujtuar të gjithëve se duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të luftojnë për të njëjtat objektiva.
“Tifozët duan të njëjtën gjë si trajneri, të fitojnë ndeshje dhe të fitojnë trofe. Do t’i marrim ndeshjet me radhë por besoj se kjo është një skuadër e madhe. Kur je një skuadër e madhe mund të luftosh për trofe”, ishte deklarata e tij për “Sky Sports”.
Tifozët nuk janë aq të kuptueshëm sa pret Benitez, pasi disa prej tyre nuk ngurruan të protestonin para klubit me pankarta në mbështetje të të larguarit Di Mateo. Për më tepër, faqet e internetit të tifozëve të skuadrës së Çelsit janë mbushur ditën e fundit me deklaratat që ka bërë Benitez në të kaluarën, ku ai fliste kundër kësaj skuadre dhe për më tepër tifozerisë së saj.
Deklarata më e bujshme është padyshim ajo e 5 viteve më parë, kur Çelsi drejtohej nga Murinjo dhe Benitez ishte në drejtimin Liverpulit. “Çelsi është një klub i madh, me lojtarë fantastikë. Çdo trajner dëshiron të drejtojë një ekip kaq të madh. Por unë nuk do ta pranoj asnjëherë atë detyrë, në shenjë respekti ndaj skuadrës time, Liverpulit, çfarëdo që të ndodhë. Për mua ekziston vetëm një skuadër në Angli dhe ajo është Liverpuli”, është deklarata e bujshme e trajnerit spanjoll, me tifozët që tani pyesin veten me kë do të jetë Benitez kur Çelsi të luajë pikërisht përballë Liverpulit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 November 2012 16:56