Rafael Benitez beson se Çelsi mund të bëhet një protagoniste në luftën për titull në Angli, pavarësisht distancës mjaft të madhe mes londinezëve dhe dy skuadrave të Mançesterit që aktualisht janë shkëputur prej të gjithë ekipeve të tjera.
Blutë u ngjitën përsëri në vendin e tretë në renditjen e kampionatit pas fitores 8-0 ndaj Aston Vilës, duke vendosur njëkohësisht rekordin në Angli ku 7 lojtarë të ndryshëm të të njëjtës skuadër gjetën rrugën e rrjetës në një ndeshje. Kjo ishte fitorja e 5-të në 6 ndeshjet e fundit, që ka sjellë besimin se tashmë Çelsi është kthyer në shkëlqimin e fillimit të sezonit.
“A jemi protagonistë në luftën për titull do ta kuptojmë më mirë pas 2-3 ndeshjesh. Por në takimin e fundit që zhvilluam e kuptoje që skuadra kishte besim në vetvete dhe kjo u pa në fund. Lojtarët bënë lëvizje të mira, krijuan raste. Tani thjesht duhet të vazhdojmë këtë ecuri dhe do të jetë më e lehtë për mua të them se mund të konkurrojmë me kryesuesit”, tha spanjolli.
Benitez, i cili është një figurë jopopullore për tifozët e Çelsit, të cilët kanë shprehur hapur mosbesimin ndaj ish-trajnerit të Liverpulit, ka merita të mëdha pasi ka arritur të ringjallë Fernando Torres, autor i 7 golave në 6 takimet e fundit. Por një meritë shumë me e madhe duket balancimi i mesfushës me kalimin e David Luiz nga mbrojtja në këtë repart.
“Do të analizojmë me kujdes paraqitjet e tij në këtë pozicion. Nëse ai arrin të jetë më i qetë, ai mund të luajë më shumë ndeshje në një pozicion të tillë, pasi për të është më e thjeshtë të pushojë në këtë rol”, tregoi Benitez, duke bërë të qartë se eksperimente të tilla do të vazhdonin edhe në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 December 2012 11:24