Nikolas Bendtner ka lëshuar një thumbim në adresë të Arsenalit, duke pretenduar se programi stërvitor te Juventusi është më i miri që ka kryer ndonjëherë. Sulmuesi danez iu bashkua ekipit italian në ditën e fundit të merkatos në formë huazimi, ndërsa shpreson që të sigurojë konfirmimin në radhët e këtij ekipi, ndonëse deri tani ka luajtur vetëm pak minuta si zëvendësues.
“Te Juventusi, stërvitja ishte ndryshe dhe më e vështirë se çdo gjë që kam bërë më parë”, tregoi ai për “Ekstra Bladet”. Për shkak të kësaj stërvitje, jam në maksimumin e formës time fizike. Pa luajtur, jam që tani në formë fizike të shkëlqyer dhe në peshën time ideale, gjë që nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë”, ka treguar danezi.
“Te Juventusi e dinë se çfarë jam në gjendje të bëj. Kur vjen në një klub të ri, duhet të mësosh si funksionojnë gjërat. Në shtatë ndeshje, ekipi ka fituar gjashtë e barazuar një, ndaj them se për momentin gjithçka është mirë”, tha lojtari që po përgatitet të luajë me kombëtaren kundër Italisë në ndeshjen e të martës.
“Do të jetë e bukur të luaj kundër Italisë, që ka 8 lojtarë të Juventusit në skuadër. Ata më njohin, por edhe unë gjithashtu, ndaj nuk di të them se cila palë mund të ketë një avantazh. Për mua, kjo është më shumë një ndeshje që duhet të fitojë Danimarka se një ndeshje që duhet të fitojë Niklas. Duhet të fitojmë si skuadër, jo si një individ”. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 17:01