Mesfushori i Paris Sent Zhërmen, Devid Bekam, ka bërë të ditur se drejtuesit e klubit si dhe trajneri Karlo Ançeloti, i kanë kërkuar atij që të vazhdojë të qëndrojë te klubi i kryeqytetit francez. Lojtari ka një kontratë deri në fund të këtij sezonit, ndërsa nuk dihet ende se çfarë do të vendosë të bëjë në të ardhmen, nëse do të vazhdojë të luajë, duke parë se ka luajtur vetëm një takim si titullar te parisienët që në momentin që iu bashkua kësaj skuadre në janar.
“Kontrata ime përfundon në mbylljen e këtij sezoni. Njerëzit më kanë pyetur nëse do të vazhdoj të luaj apo nëse do të vazhdoj të luaj këtu. Pronarët dhe trajneri e kanë bërë shumë të qartë se ata do të dëshironin që unë të qëndroja dhe jam shumë i nderuar nga ky opinion i tyre”.
“Kur i bashkohesh një klubi, shpesh të duhet kohë të përshtatesh dhe të gjesh gjuhën e përbashkët me lojtarët, stafin e tifozët. Por fatmirësisht, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt këtu në Paris ndaj kam kaluar një periudhë të shkëlqyer që shpresoj të vazhdojë. Po i gëzohem këtij sezoni dhe do ta bëj një gjë të tillë deri në fundin e tij. Ndaj shpresoj që do të jemi të suksesshëm dhe më pas do të marr një vendim mbi atë që do të bëj në vitin pasardhës”, deklaroi Bekam që duket se nuk ka ndër mend të braktisë futbollin e luajtur, ndonëse po i afrohet moshës 38 vjeçare. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 April 2013 19:20