Frenk Lampard ka hedhur më shumë hije rreth të ardhmes së tij te Çelsi pasi është parë duke ndjekur një ndeshje futbolli të LA Galaksi bashkë me mikun e tij të vjetër, Devid Bekam, futbollist i skuadrës amerikane.
Mesfushori ka qenë prej kohësh një objektiv i kampionëve në fuqi të MLS dhe prania e tij në stadium gjatë humbjes 2-1 të LA Galaksi përballë Filadelfias nuk është se ka shuar zërat për një transferim të mundshëm. Bekam ishte në tribunë për shkak të pezullimit prej një ndeshje, ndërsa Lampard shoqërohej edhe nga e fejuara e tij, në një vizitë që dukej më shumë se sa thjesht për argëtim.
Klubi amerikan insiston për mesfushorin anglez, ndonëse ky i fundit ka një kontratë edhe për një tjetër sezon me Çelsin, nga e cila përfiton 130 mijë paund në javë dhe pritet të marrë edhe 1.5 milionë paund bonus në fund të sezonit nëse e mbyll deri në fund kontratën me këtë klub.
34 vjeçari po mendon largimin pasi e di se tashmë te Çelsi nuk do të jetë më një titullar fiks, duke i lënë vend më të rinjve. Vetë presidenti i LA Galaksi, ka shprehur publikisht dëshirën për të patur Lampard në ekip në të ardhmen, ndonëse për ta bërë një gjë të tillë dhe për të paguar rrogën e tij të lartë, ai është i detyruar të largojë nga ekipi një mes Devid Bekam, Robi Kin dhe Landon Donovan. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 July 2012 16:01