Garet Beil ka nënshkruar sot zgjatjen për katër vite të kontratës së tij duke vendosur përfundimisht që të qëndrojë te skuadra e Totenhem.
Lojtari i krahut të majtë, është shfaqur mjaft i lumtur për zgjedhjen që ka bërë, duke vendosur që të mbetet pjesë e këtij ekipi deri në vitin 2016, ndonëse Totenhem rrezikon të kalojë një periudhë krize pasi është ende pa trajner pas shkarkimit të Herri Redknap.
“Kam qenë në këtë klub prej 5 vitesh dhe e kam shijuar çdo sekondë. Tifozët kanë qenë të shkëlqyer me mua dhe do të dëshiroja t’ua shpërbleja. Klubi po rritet dhe unë dua të jem pjesë e kësaj rritje, këtij përmirësimi, ndaj ishte e shkëlqyer që u krye kjo marrëveshje. E dashuroj këtë klub dhe tifozët e tij, ndaj dua të bëj pjesën time për të kthyer skuadrën në Ligën e Kampioneve”, ishte premtimi i lojtarit.
Beil filloi karrierën me dritëhije te Totenhem, pasi iu bashkua skuadrës nga Sauthempton ne vitin 2007. Shpërthimi i tij erdhi në dy edicionet e fundit, ndërsa në vitin 2011 u shpall “Lojtari i Vitit” në kampionatin anglez. Futbollisti uellsian kërkohej me ngulm nga skuadra si Barcelona, Real Madrid e Inter por duket ai ka vendosur të qëndrojë përfundimisht në Angli. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 June 2012 16:39