Garet Beil ka konfirmuar se në të ardhmen dëshiron të luajë në një kampionat tjetër, duke u larguar nga Anglia. Pohimi i tij vjen vetëm pak ditë pas ftesës që Luka Modriç i bëri për t’iu bashkuar skuadrës së Real Madrid në Spanjë, për të formuar një dyshe të pandalshme me Kristiano Ronaldon.
“Do të ishte diçka e këndshme të provoja një kampionat dhe kulturë tjetër. E kam thënë gjithmonë që nuk frikësohem të shkoj jashtë Anglisë. Nëse është momenti i duhur dhe nëse vjen skuadra e duhur për mua, atëherë do të shoh me seriozitet ofertat”, tha Beil.
“Të gjithë duan të luajnë në Ligën e Kampioneve. Sigurisht, ne ishim të pafat që nuk arritëm të kualifikoheshim në këtë turne në edicionin fundit, por Europa League është një tjetër turne interesant. Kemi dhënë 100% në çdo ndeshje që kemi luajtur, e kemi marrë seriozisht si turne dhe shpresojmë të fitojmë në këtë aktivitet”, u shpreh lojtari uellsian.
Fitorja e Totenhem në fushën e Fullhem në këtë fundjavë, e ngjiti skuadrën në vendin e katërt në renditje, pozicion të cilët londinezët duan ta ruajnë dhe mundësisht ta përmirësojnë në mënyrë që në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve të jenë protagonistë. Totenhemi siguroi vendin e katërt edhe në sezoni e kaluar, por triumfi i Çelsit në Ligën e Kampioneve bëri që t’i lëshonin vendin bluve londinezë të cilët nuk figuronin mes katër skuadrave më të mira në kampionat në fund të sezonit të kaluar. (LajmeShqip.com)
Monday, 03 December 2012 13:48