Mesfushori i Totenhem, Garet Beil, ka etiketuar futbollistin e Real Madrid, Kristiano Ronaldo, si idhullin e tij, pas një viti të shkëlqyer për të dy këta lojtarë.
Beil ka shënuar 9 gola në këtë kampionat duke luajtur si mesfushor krahu, ndërsa është një nga elementët më të rrezikshëm të sulmit të skuadrës së tij. Nga ana tjetër, Kristiano Ronaldo ka shënuar 14 gola në kampionat, me uellsianin që synon të arrijë një ditë të kopjojë saktësinë dhe aftësitë e portugezit 27 vjeçar.
“Gjërat janë ndryshe sot, duhet të bësh diçka të re, ose në të kundërtën do të bëhesh shumë i parashikueshëm në fushën e lojës”, tha Beil për “ESPN”. “Merrni shembull Kristiano Ronaldon. Ai nuk humb kurrë mundësinë të shpikë mënyra të reja për të bërë gjërat. Unë dua të ndjek shembullin e tij, pasi ai është idhulli im”.
Beil kishte një mundësi të luante përkrah Kristiano Ronaldos disa vite më parë, kur atë e kërkoi Mançester Junajtid. Por futbollisti uellsian vendosi në fund që t’i bashkohej Totenhem. Lojtari ka treguar kohët e fundit se kishte bërë këtë zgjedhje mjaft të guximshme në vitin 2007, pasi mendonte se te Mançester Juanjtid nuk do t’i jepej mundësia të luante rregullisht.
Por tani, uellsiani mund t’i bashkohet përsëri Kristiano Ronaldos, këtë radhë te Real Madrid, pasi mediat angleze dhe spanjolle kanë shkruar jo vetëm për interesimin e kësaj skuadre për lojtarin, por edhe për një ofertë konkrete prej 40 milion eurosh që do t’i mbërrijë Totenhemit në janar. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 09:26