Garet Beil është i bindur se kualifikimi në Ligën e Kampioneve është një objektiv që nuk do t’i shpëtojë nga duart skuadrës së Totenhem në këtë sezon, ashtu si edhe mendon se zhgënjimi i sezonit të kaluar ka shërbyer si mësim për të gjithë në radhët e këtij ekipi.
Londinezët përfunduan sezonin e kaluar në vendin e katërt, por më pas nuk shkuan në Ligën e Kampioneve pasi i lëshuan vendin Çelsit, fituese e trofeut që kishte mbetur jashtë katër të parëve në kampionat.
“Kemi mësuar nga gabimet e viteve të mëparshme dhe tani mund të jemi më të fortë se në vitet e kaluara, ndaj shpresoj se mund t’ia dalim mbanë të kualifikohemi në Champions”.
“Në vitet e fundit, zakonisht kemi pasur probleme në këtë pikë ë sezonit, por tani mendoj se të gjithë kanë më shumë besim te vetja”, tha ylli uellsian, i cili është i nervozuar me veten, edhe pse shënoi dy golat e fitores 2-1 ndaj Njukasëll të shtunën.
“Jam shumë i nervozuar që nuk arrita të shënoj një tregolësh. Humba shumë raste, sidomos një me të djathtën. Por gjëja më e rëndësishme është se morëm tri pikë që do të shtojnë trysninë ndaj skuadrave që qëndrojnë sipër dhe poshtë nesh në renditje”, tha Beil, një prej lojtarëve më të ndjekur nga ekipet e mëdha në Evropë. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 February 2013 09:08