Totenhemi është i dëshpëruar në tentativën për të mbajtur Garet Beil edhe për të paktën një sezon, pasi drejtuesit e skuadrës janë të ndërgjegjshëm se uellsiani rrit shanset e tyre për kualifikimin në Ligën e Kampioneve apo afrimin e futbollistëve cilësorë.
Lojtari që shënoi 26 gola në këtë edicion, ndiqet me interes nga klubet më të mëdha në Evropë që janë gati të bëjnë çmenduri për të siguruar shërbimet e tij, ndërsa ai vetë do të dëshironte të shkonte në një klub që luan në Ligën e Kampioneve.
Për ta bindur të qëndrojë edhe një vit te Totnehem, i cili përsëri përfundoi në Europa League, londinezët kanë bërë gati përmirësimin e kontratës së tij, duke i ofruar tashmë 200 mijë paund në javë për sezonin e ardhshëm.
Kjo shifër është e barabartë me atë që përfitojnë Uejn Runi, Jaja Ture dhe Robin Van Persi, lojtarët më të paguar në Angli, një shifër që Totenhemi mendon se do të shuajë zhgënjimin e lojtarit për mosarritjen e objektivit të vendit të katërt në kampionat.
Kontrata aktuale e Beil është 110 mijë paund në javë, por klubi do të bëjë këtë përmirësim të ndjeshëm vetëm për sezonin e ardhshëm, me premtimin gjithashtu se ai do të shitet në vitin 2014, duke vënë edhe shifrën 50 milion paund si klauzolë largimi në kontratën e tij. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 May 2013 09:37