Napoli është një nga qytetet që adhuron më shumë futbollin në Itali, por njëkohësisht edhe një nga më të rrezikshmit. Këtë e ka provuar në kurriz të vet Valon Behrami, i cili është kthyer në një idhull të tifozerisë së kësaj skuadre, por shkëlqimi i tij në fushën e lojës nuk ka bërë që t’i shpëtojë grabitësve të rrugës.
Mesfushori ka qenë duke udhëtuar në makinën e tij në rrugët e qytetit, kur i janë afruar dy persona në një motor, të cilët e kanë kërcënuar me armë, duke e detyruar që t’u japë atyre orën e dorës të markës “Hublot”.
Menjëherë pasi kanë marrë orën e dorës, personat me motor janë larguar me shpejtësi, ndërsa futbollisti kosovar është drejtuar për në komisariatin më të afërt të policisë për të bërë denoncimin e ngjarjes.
Futbollisti kosovar nuk është i pari mes napolitanëve që bëhet viktimë e grabitjeve në rrugë. Para tij, të njëjtin fat kanë pësuar bashkëshortet e Kavani e Laveci, ashtu si edhe disa lojtarë të tjerë të kësaj skuadre. Mendohet se pikërisht sulmi i armatosur ndaj partneres së Lavecit shtyu këtë të fundit të mendonte largimin nga Napoli. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 December 2012 14:26