Mesfushori kosovar i Napolit, Valon Behrami, mendon se ndeshja e sotme kundër Juventusit është jetësore për synimet e skuadrës së tij për titullin kampion. Napolitanët renditen 6 pikë pas bardhezinjve që kryesojnë Serinë A dhe një fitore do të shkurtonte diferencën dhe do të rihapte plotësisht kampionatin.
“Sipas mendimit tim, kjo është një ndeshje kyç nga pikëpamja psikologjike. Ajo mund të na tregojë se kush jemi në të vërtetë dhe çfarë mund të marrim nga ky sezon. Juventusi është një skuadër e madhe do të na duhet të sulmojmë me zgjuarsi dhe njëkohësisht të mos i lejojmë ata të marrin iniciativën. Ne duhet të lëmë shenjë me këtë ndeshje”, shpjegoi mesfushori 27 vjeçar që është kthyer shumë shpejt në idhullin e tifozëve të kësaj skuadre.
“Tifozët tanë do të na japin një shtysë më tepër, adrenalinën që të shtyjmë më shumë për fitore në këtë sfidë. Ata mund të jenë arma jonë shtesë që të kërkojmë të kalojmë limitet tona për këtë sfidë. Po u kërkoj atyre që të na mbështetin, të vlerësojnë atë që kemi qenë duke bërë në këtë kampionat dhe të marrin në konsideratë atë që po ndjekim, një objektiv që është shumë i rëndësishëm”, theksoi Behrami para kësaj sfide që me shumë mundësi do të vendosë fatin e luftës për titull në kampionatin italian. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 March 2013 10:22