Franz Beckenbauer pranoi se Federata Gjermane e Futbollit, DFB, bëri një gabim duke i paguar 6.7 milionë euro FIFA-s, por mohoi se këto para ishin dhënë për të blerë votat për të fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2006.
Në fillim të këtij muaji, gazeta gjermane “Spiegel” tregoi se si ish-drejtuesit ekzekutiv i Adidas, Robert Louis-Dreyfus ishte në djeni të një pagese për shumën e lartpërmendur, që duhet t’i jepej qeverisë së futbollit botëror.
Beckenbauer, i cili është presidenti i nderit te Bayern Munich, përfundoi në qendër të kritikave, duke qenë se “legjenda” e futbollit gjerman ishte në krye të komitetit që u morr me organizimin e Kupës së Botës. 70-vjeçari theu heshtjen në lidhje me këtë çështje duke thënë për gazetën “Bild”.
“Unë, si president i komitetit organizativ në atë kohë, mbaj përgjegjësi për gabimin. Në mënyrë që të merrnim mbështetje financiare nga FIFA u bë një pagesë, e cila duhet të ishte refuzuar nga komisioni i financës së FIFA-s. Nuk u ble asnjë votë për Kupën e Botës”, tha Beckenbauer.
Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Wolfgang Niersbach, i cili gjithashtu është akuzuar si fajtor, pranoi gabimin. Ai tha “Padyshim që unë jam fajtor që nuk i lajmërova në kohën e duhur anëtarët e bordit drejtues se ajo pagesë nuk duhej bërë. Unë mbaj përgjegjësi për këtë.”
Federata Gjermane e Futbollit nisi një hetim zyrtar për të zbardhur këtë çështje. Deri tani dihet vetëm se janë derdhur në llogarinë bankare të FIFA-s, por nuk ka asnjë provë që mund të jenë blerë vota.
Wednesday, 28 October 2015 11:38