Biznesmeni Delcir Sonda, pronari i 40% të kartonit të sulmuesit brazilian Neimar nëpërmjet kompanisë “DIS”, ka siguruar se “duhet të ndryshojnë shumë gjëra” që Neimar të mos përfundojë te Barcelona në sezonin e ardhshëm, duke bërë të qartë se transferimi i sulmuesit te katalanasit është tashmë çështje detajesh.
Kartoni i lojtarit është në pronësi të trefishtë, me Santos që ka 55% të vlerës së tij, kompania “DIS” ka 40% vlerës dhe grupi investitor “Teisa” që gëzon të drejtën për 5% të mbetur.
“Nëse Barcelona nuk do ta marrë, vështirë se do të përfundojë në ndonjë skuadër tjetër. Parashikimi është që të shkojë atje pasi edhe kontrata e tij është bërë me klauzola të tilla”, tha biznesmeni duke konfirmuar parapagimin e 10 milion eurove që ka bërë Barcelona. “Duhet të ndryshojnë shumë gjëra që ai të mos përfundojë atje”.
Sonda ka bërë thirrje të mos e anashkalojë atë, siç ka bërë në të kaluarën Real Madrid, sepse në këtë mënyrë do të dështonte çdo marrëveshje e mundshme. Ai kujtoi se si në të kaluarën madrilenët ofruan 60 milion euro për lojtarin, nga të cilat 24 milion euro i takonin atij. Por marrëveshja kishte dështuar pasi babai i futbollistit nuk kishte pranuar që këto para t’i kalonin biznesmenit.
“Të gjithë duhet ta dinë se unë zotëroj 40% të kartonit dhe ia kam thënë këtë dy herë z. Rosell. Ndaj nuk duhet të flasin vetëm me Santos, duhet të flasin edhe me mua”, tha ai duke iu referuar faktit se disa drejtues të Barcelonës kanë mbërritur në Brazil dhe po negociojnë për blerjen e futbollistit brazilian. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 May 2013 10:02