Tiranë – Politika nuk anashkalon kurrsesi kompeticionin magjik Europian Champions League. “Klasikja” e Spanjës Real Madrit – Barcelona ka patur edhe vëmendjen e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili edhe pse në një ditë të ngjeshur me aktivete dhe takime me elektoratin, gjen pak kohë për të ndjekur duelin emocionues të vlefshëm për gjysëmfinalen e Champions Ligës.
Në një prej lokaleve pranë zonës së ish-bllokut, kandidati Basha ka preferuar të ndjekë emocione të kësaj sfidë nën shoqërinë e ambasadorit amerikan Arvizu. Asnjë emocion i veçantë nuk është shfaqur në fizionominë e kandidatit Basha, ndonëse buzëqeshja karakteristike nuk i ka munguar për asnjë çast. Ndonëse momente relaksi, Basha për asnjë çast nuk e ka humbur shansin për të bashkëbiseduar me ambasadorin amerikan mbase për ndeshjen apo mbase edhe për tema të tjera.
Pjesë e ambientit sportiv pranë kandidatit Basha, duke ndjekur takimin Real-Barcelona janë parë edhe një pjesë e stafit minibashkiak ku kanë rënë në sy dy ishfutbollistët e njohur të Tiranës, Indrit Fortuzi e Krenar Alimehmeti, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe figura të tjera të botës së sportit, ish-atletja Klodiana Shala apo nënkampioni i Europës në nundje Said Prizreni.
45 minuta gjithsesi nuk kanë mjaftuar për të mësuar se për cilën skuadër bënte tifo kandidati Basha, i cili menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë është larguar i qetë për të ndjekur axhendën e tij.
Thursday, 28 April 2011 08:15