Pas 19 viteve radhazi në drejtimin e një makine të Formula 1, Rubens Barrikelo ka vendosur të zyrtarizojë largimin nga ky kampionat. Braziliani ka bërë të ditur se nga ky vit do të garojë në Formula Indi, me skuadrën “KV” të bashkëkombësit Toni Kanan.
“Kjo është një etapë e re e jetës time dhe jam shumë i lumtur. Jam përshtatur shumë shpejt dhe kam marrë një mbështetje të madhe nga e gjithë skuadra. Duhet të falënderoj ata që më dhanë këtë mundësi në moshën 39 vjeçare”, u shpreh ish-piloti i Ferrarit.
Ndonëse Barrikelo ka garuar në atë që cilësohet kampionati më i shpejtë në botë për garat automobilistike, ai ka pranuar se Formula Indi është diçka krejtësisht tjetër dhe atij do t’i duhet t’i nënshtrohet procesit të “mësimit”.
“Kam shumë për të mësuar nga Toni, por është e sigurt se nuk e filloj nga zero falë eksperiencës së gjatë që kam në automobilizëm. Por motori me turbo është një eksperiencë e re dhe duhet ta pranoj se nuk ia kam idenë ku duhet pozicionuar makina në pistën ovale, ndaj shokët e skuadrës do të jenë shumë të rëndësishëm në këtë aspekt”. tha braziliani.
Gjatë karrierës në Formula 1, Barrikelo ka marrë pjesë në 326 gara, duke fituar 11 gara dhe duke u ngjitur 68 herë në podium. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 March 2012 10:01