Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell dhe kompania që administron të drejtat e imazhit të Didier Drogba, kanë hedhur poshtë zërat se futbollisti do t’i bashkohet Barcelonës.
Sipas asaj që raportohej në shtyp, Drogba do të ishte në Barcelonë për të kontaktuar katalanasit dhe për të firmosur me ta, ndonëse një javë më parë nënshkroi kontratë me kinezët e Shangai Shenhua.
“Nuk di asgjë rreth Drogba. Nëse ai gjendet këtu, do të thotë se ka ardhur për pushime. Përveç kësaj nuk di asnjë gjë tjetër”, deklaroi Rosell.
Ky qëndrim u mbajt edhe nga kompania që menaxhon të drejtat e futbollistit, “The Sports PR Company”.
“Ai nuk do të firmosë për Barcelonën. Çfarë klauzole është kjo? Me të vërtetë e mendoni se Shangai mund të pranojë një klauzolë ku ai largohet falas?”, tha një zëdhënës për shtyp i kësaj kompanie.
Ndërkohë, Sandro Rosell ka çuditur të gjithë duke deklaruar se ishte gati të votonte Pep Guardiolën si president të ardhshëm të klubit katalanas.
“Unë do të votoja për Guardiolën. Sigurisht që do të votoja për të që të bëhej president. Kjo do të thoshte që ai do të kalonte këtu gjithë karrierën, nga “La Masia” (akademia e Barcelonës), te posti i presidentit, do të kalonte çdo fazë të mundshme te ky klub”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 27 June 2012 08:40