Barcelona dhe Real Madrid kanë fituar ndeshjet respektive të javës së 8-të duke mbajtur të pandryshuar diferencën prej 8 pikësh në renditje mes tyre. Por katalanasit, kryesues të klasifikimit, kanë përjetuar një ndeshje mjaft të vështirë përballë Deportivo La Korunjës, ndërsa madrilenët kanë kaluar pa shumë vështirësi Selta Vigon.
Në ndeshjen përballë Deportivo La Korunjas, Barcelona dukej se do të fitonte lehtësisht, pasi shënoi 3 gola në 18 minutat e para me Zhordi Alba, Tejo e Mesi. Edhe kur Pizi gjeti golin për vendasit me një penallti në minutën e 26-të dhe Bergantinjos shënoi të dytin, Mesi u kundërpërgjigj me një tjetër gol për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 4-2 për skuadrën e tij.
Por një tjetër gol i Pizi në fillimin e pjesës së dytë dhe sidomos kartoni i kuq i Maskerano, prishën tërësisht planet e katalanasve që u detyruan të kthehen në mbrojtje për të ruajtur rezultatin. Fatmirësisht për Barcelonën, në radhët e saj është Mesi, që shënoi golin e tretë personal dhe të pestin për skuadrën e tij. Por vetëm dy minuta më vonë, është Zhordi Alba që shënon në portën e vet, për të mbajtur gjallë emocionet e kësaj sfide deri në sekondën e fundit, falë tentativave të vazhdueshme të Deportivos për të shënuar, duke vënë në vështirësi si rrallëherë skuadrën katalanase që gjithsesi mori një sukses të rëndësishëm 5-4.
Ndërkohë, Real Madrid ka fituar pa shumë vështirësi 2-0 ndaj Selta Vigos, në një ndeshje të dominuar, por ku madrilenët kanë menduar më shumë për të mos u lodhur dhe për të ruajtur energjitë për takimin kundër Borusia Dortmund në mesjavë.
Goli i avantazhit u shënua nga Higuain që në minutën e 11-të, ndërsa një penallti e Kristiano Ronaldos në minutën e 67-të të ndeshjes vulosi këtë sfidë ku Murinjo bëri eksperimente me mbrojtjen duke parë mungesat e shumta me dëmtimet e lojtarëve gjatë ndeshjeve me kombëtaret, mes të cilave bie në sy improvizimi i Esien si mbrojtës i majtë. (LajmeShqip.com)
Primera Division
Malaga-Vajadolid 2-1
37’ Isko, 87’ Hoakin / 9’ Manuço Gonçalves
Real Madrid-Selta Vigo 2-0
11’ Higuain, 67’ (p) Kristiano Ronaldo
Valencia-Atletik Bilbao 3-2
26’ (p) Soldado, 88’ Kosta, 90’ Valdez / 19’, 30 Aduriz
Deportivo La Korunja-Barcelona 4-5
26’ (p), 47’ Pizi, 37’ Bergantinjos, 79’ (ag) Zhordi Alba / 3’ Zhordi Alba, 8’ Tejo, 18’, 43’, 77’ Mesi
Saturday, 20 October 2012 23:08