Ibrahim Afellai duket se do të bëhet largimi i radhës nga Barcelona pasi katalanasit i kanë konfirmuar menaxherit të tij se futbollisti holandez nuk bën pjesë në planet e klubit. Barcelona kërkon të përfitojë para nga shitja e futbollisti, në mënyrë që të financojë blerjen e Havi Martinez nga Atletik Bilbao, pasi ky i fundit vlerësohet 40 milionë euro.
Një ofertë prej 6 milionë eurosh mund të jetë e mjaftueshme për të siguruar shërbiemt e Afellai dhe Interi duket skuadra që është më pranë futbollistit që shkëlqeu disa vite më parë me fanellën e PSV.
Arsenali ishte një skuadër që interesohej fuqimisht për lojtarin në vitin 2011, por më pas ishte Barcelona që arriti të nënshkruante një kontratë me të.
Lojtari iu bashkua katalanasve në janarin e vitit 2011 dhe që nga ai moment ka luajtur vetëm 28 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre për shkak të një dëmtimi në gju që e la jashtë fushës së lojës për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar.
Futbollistë të rinj si Kuenka dhe Tejo i kanë marrë atij vendin në formacion dhe të Barcelona do të kthehej në një rezervë. Ndonëse lojtari ka deklaruar se dëshiron të provojë talentin e tij në radhët e kësaj skuadre, trajneri Vilanova ka bërë të qartë se nuk ka vend për një mesfushor ofensiv në skuadrën e tij dhe largimi do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për të dy palët. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 14:20