Mediat katalanase kanë rihapur spekulimet për të ardhmen e Neimar dhe transferimin e tij të mundshëm te Barcelona, duke publikuar një dokument, sipas të cilit pretendohet se është nënshkruar një marrëveshje mes lojtarit brazilian dhe klubit spanjoll.
Në dokumentin e publikuar nga gazeta katalanase “Sport”, pjesë e bilancit vjetor të vitit 2013, figuron një shpenzim prej 40 milionë eurosh për blerjen e një futbollisti. Për më tepër, në të njëjtin dokument sqarohet se është paguar që tani një shifër prej 10 milionë eurosh në formë paradhënie. Edhe pse në dokumentin në fjalë nuk figuron emri i Neimar, mediat katalanase pretendojnë se ky version përputhet me atë që flitet prej kohësh për transferimin e futbollistit në radhët e Barcelonës në verën e vitit 2013.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Santos që ka hedhur poshtë arritjen e një marrëveshje të tillë për transferimin e yllit të kombëtares braziliane.
“Santos hedh poshtë çdo mundësi të shitjes së Neimar te Barcelona apo te cilido klub tjetër. Nuk ka asnjë negociatë në zhvillim dhe klubi përsërit qëndrimin për të mos shitur sulmuesin deri në fundin e kontratës së tij që mbyllet në vitin 2014”, shkruhet në një deklaratë të publikuar nga klubi brazilian.
Futbollisti 20 vjeçar është padyshim ylli i kombëtares braziliane të futbollit me të cilën ka luajtur 25 ndeshje dhe ka shënuar që tani 16 gola. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 October 2012 12:02