Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Hosep Maria Bartomeu, ka lënë të nënkuptohet se klubi do të tentojë përsëri të blejë gjatë verës sulmuesin brazilian Neimar, duke shpresuar në afrimin e lojtarit pas përfundimit të Lojërave Olimpike.
Katalanasit kërkojnë prej kohësh lojtarin, i cili ka shprehur admirimin dhe dëshirën për të luajtur përkrah Mesit. Por ai gjithashtu ka insistuar se nuk do të lëvizte nga Brazili para mbarimit të Botërorit 2014.
“Ne të gjithë do të dëshironim që Neimar të vinte këtu pas Olimpiadës. Ai aktualisht është një lojtar i Santos, por jam i sigurt se Neimar në të ardhmen do të vijë në Evropë dhe kur ai moment të vijë, ne do të jemi të vëmendshëm në mënyrë që ai të nënshkruajë për Barcelonën”, deklaroi Bartomeu para tifozëve të katalanasve në Marok, para miqësores me ekipin vendas të Raja Kazablanka.
Futbollisti brazilian aktualisht gjendet me kombëtaren e tij në Londër, ku merr pjesë në Lojërat Olimpike, por sipas trajnerit të Brazilit, Mano Menezes, ai ka vështirësi të paraqitet në standardin që të gjithë presin nga ai.
“Kritikat ndaj tij janë të natyrshme për formë që ka kaluar në muajt e fundit. Dihet që kritikat shfaqen kur forma bie poshtë pritshmërisë”, tha Menezes. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 July 2012 08:40