Tito Vilanova dhe Andoni Zubizarreta duhet të vendosin këtë javë se cilën strategji të zgjedhin pas largimit përfundimtar të Seidu Keita nga radhët e kësaj skuadre. Trajneri ka shpjeguar se i nevojitej vetëm një mbrojtës krahu dhe një mbrojtës qendre, ndërsa tani ka në dispozicion vetëm 26 milion euro për blerjen e lojtarit që kërkon, pasi pjesën tjetër të parave e ka shpenzua për blerjen e Alba.
Opsioni që katalanasve u pëlqen më shumë, por njëkohësisht edhe më i komplikuari, është blerja e Havi Martinez. Lojtari i Atletik Bilbao luan lehtësisht në qendër të mbrojtjes dhe në qendër të mesfushës me të njëjtin rezultat, një futbollist që katalanasve do u shërbente në mënyrë perfekte. Po vështirësia e marrëveshjes qëndron te çmimi prej 40 milion euro që i ka vënë klubi bask.
Barcelona ka filluar negociatat me Bilbao, duke parë edhe vetë dëshirën e futbollistit të përfaqësueses spanjolle, i cili në kombëtare rri gjithë kohën i shoqëruar me futbollistët katalanas. Por për momentin, klubi i tij nuk vendos të ulë çmimin, duke e cilësuar një prej lojtarëve me të ardhme në futbollin botëror.
Si rrjedhojë, Barcelona po mendon të kthejë sytë nga akademia e famshme për të bërë zbulimin e radhës me Xhonatan Dos Santos dhe Serzhi Roberto që janë dy emrat më të përfolur për t’iu bashkuar ekipit të parë
Ndërkohë, emra të tjerë që shihen me përparësi në qendër të mbrojtjes janë Vermaelen, Humels dhe Subotiç, ndërsa për mesfushën mendohet për Kapue, M’Vila, Kabaje dhe Bruno Soriano. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 09:20