Sandro Rosell ka qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që blerja e Neimar ishte një operacion i rrezikut të lartë për motive të shumta. Fillimisht, kjo vinte për shkak të kostos së lartë të transferimit, që rritej çdo ditë e më shumë nga interesimi i klubeve të tjera të mëdha, si dhe nga reagimi i Mesit para pranisë së një konkurrenti të mirëfilltë brenda skuadre në fushën e lojës.
Gazeta spanjolle “Marca” ka bërë të ditur se drejtuesit e klubeve kanë vendosur që të vendosnin mbi blerjen e Neimar duke marrë mendimin e argjentinasit, pasi janë të bindur se pa miratimin e Mesit, braziliani nuk do të kishte një ambientim të shpejtë në radhët e skuadrës.
Përgjigja e Mesit ishte shumë pozitive dhe ishte ai që shtyu klubin të firmoste menjëherë me futbollistin. Ai është treguar shumë i ndërgjegjshëm se kishte nevojë për një lojtar me të cilin mund të ndante peshën e shënimit të golave dhe me të cilin mund të ndante përgjegjësinë.
Duke pasur parasysh se Vija, Pedro dhe Sançez nuk kanë arritur të luajnë si duhet rolin e sulmuesi të dytë në peshën e golave të shënuar, Mesi ka qenë i lumtur që po afrohet një futbollist si Neimar, i cili mund të garantojë më shumë gola.
Nga ana tjetër, edhe klubi i ka bërë të qartë Neimar se “Shefi” vazhdon të jetë Lionel Mesi dhe se kjo ishte e padiskutueshme, të paktën për momentin. “Kam ardhur këtu të ndihmoj Lionel Mesin të mbetet futbollisti më i mirë në botë”, ishte deklarata e Neimar në ditën e tij të prezantimit, duke bërë publikisht të qartë se e kishte kuptuar mesazhin. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 June 2013 14:01