Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka vendosur një premio prej 1 milion eurosh që do të shpërndahen mes lojtarëve nëse arrijnë të fitojnë dy ndeshjet e mbetura për të kapur shifrën e 100 pikëve në kampionat.
Lojtarët që tani kanë rreth 20 milion euro që do të shpërndahen në formë bonusi mes tyre për fitoren e kampionatit spanjoll, sipas klauzolave në kontratat e tyre apo vendimeve të klubit. Por duket se futbollistët e Barçës kërkonin një stimul më shumë para fundit të këtij sezoni dhe presidenti i katalanasve është dorëzuar para kërkesave të grupit të futbollistëve.
Nëse ekipi i Vilanovas mund Espanjolin në derbin që luhet sot si dhe Malagan në ndeshjen e fundit të kampionatit që zhvillohet në “Kamp Nou”, do të regjistrojnë 100 pikë. Kështu ata barazojnë rekordin e vendosur një vit më parë nga Reali i Murinjos, si dhe duke kaluar shifrën e 99 pikëve që është rekordi katalanas, i vendosur nga skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola në sezonin 2009-2010. (LajmeShqip.com)
Sunday, 26 May 2013 11:08