Mario Baloteli përfundon përsëri në telashe dhe rrezikon të pezullohet prapë nga skuadra e Mançester Sitit.
Futbollisti italian është fotografuar në orët e para të mëngjesit të premtes duke dalë nga një klub striptize në Liverpul, në shoqërinë e disa shokëve të tij.
Trajneri Mançini po planifikonte ta aktivizonte si titullar lojtarin në ndeshjen e sotme kundër Boltonit. Por tani sulmuesi mund të përballet me një ndëshkim nga klubi për shkak të sjelljes së tij.
Fotografia e publikuar nga tabloidi “The Sun” është e pakundërshtueshme, pasi 21 vjeçari është fotografuar para derës së lokalit “X In The City” në orën 2.45 të mëngjesit tw tw premtes.
Kuptohet që Mançini pret që futbollistët e tij në atë orë të jenë në shtëpi dhe për më tepër në gjumë, kur ndeshja është vetëm 48 orë larg.
Trajneri italian do të jetë tepër i irrituar edhe për faktin se dje në konferencë për shtyp mbrojti lojtarin pa ditur se çfarë kishte bërë ky i fundit. “Mario është sulmuesi më i mirë italian. Ne e dimë që Mario është një superlojtar por ai duhet të përmirësojë sjelljen e tij”, ishin fjalët e Mançinit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 March 2012 11:10