Mario Baloteli ka pranuar se luan futboll pa ia pasur shumë idenë rregullave të kësaj loje. Sulmuesi shënoi golin e fitores në suksesin 2-1 të Italisë përballë Meksikës në Kupën e Konfederatave, por u ndëshkua me karton të verdhë pasi festoi duke hequr fanellën.
“Është një emocion i jashtëzakonshëm të përshëndetesh nga një duartrokitje e gjithë këtij publiku të shkëlqyer. E rëndësishme është që fituam, ndërsa duhet theksuar se kishte një penallti edhe në favorin tonë. Kartoni i verdhë? Prandeli ka të drejtë, nuk e dija që ekziston rregulla e skualifikimit pas dy kartonëve të verdhë. Herën tjetër nuk do ta përsëris më këtë veprim”, tha Baloteli.
Pak minuta më parë, trajneri Çezare Prandeli kishte lëshuar një paralajmërim në adresë të sulmuesit italian.
“Ka ardhur koha që të mos tregojë më muskujt, pasi kartonët e verdhë kanë shumë rëndësi”, deklaroi trajneri i Italisë rreth kësaj çështje. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 June 2013 08:11