Roberto Mançini ka cilësuar mungesën e përkushtimit në stërvitje si arsyen kryesore pse Mario Baloteli nuk ishte as në stolin e rezervave në takimin që Mançester Siti luajti ndaj Njukasëll.
Futbollisti i përfaqësues italiane nuk udhëtoi me skuadrën për takimin e luajtur në “St. Xhejms Park”, të mbyllur me fitoren 3-1 të kampionëve të Anglisë, ndërsa dyshen e sulmit titullare e formonin argjentinasit Aguero e Tevez, me Xheko që u aktivizua si zëvendësues.
I pyetur pse Baloteli nuk u përzgjodh për këtë sfidë, përgjigja e Mançinit ishte e prerë: “Ai ka nevojë të stërvitet më shumë!”.
Baloteli ishte titullar në sfidën e javës së kaluar ndaj Mançester Junajtid, por u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë pas një paraqitje aspak bindëse në humbjen 3-2. Mançini kritikoi ashpër lojtarin duke bërë të qartë se nuk po arrin të shprehë potencialin e tij dhe duke i kujtuar se Mançester Siti kërkonte më shumë nga ai. Por trajneri italian njëkohësisht ka hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm të futbollistit gjatë merkatos së janarit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 December 2012 11:45