Zënka publike mes Mario Balotelit dhe Roberto Mançinit duket se do t’i japë fund karrierës së sulmuesit italian te Mançester Siti. Mediat angleze janë të bindura se futbollisti tashmë po përgatitet të marrë ofertat e klubeve të tjera që janë gati të sigurojnë shërbimet e tij, pasi te Siti ai nuk ka më vend.
Pamjet që bënë xhiron e botës gjatë ditës së djeshme, me zënkën mes trajnerit dhe sulmuesit, kanë dëmtuar rëndë imazhin e klubit dhe drejtuesit e skuadrës i kanë bërë të qartë Mançinit se sjellje të tilla janë të patolerueshme. Pas incidentit, edhe vetë trajneri italian ka humbur durimin dhe minimalisht do të lërë jashtë skuadre lojtarin që ishte planifikuar të luante titullar në ndeshjen e Kupës FA.
Klubi po planifikon që t’i vërë edhe një tjetër gjobë të rëndë lojtarit, të cilin e ndëshkoi me 340 mijë paund pak javë më parë për sjelljet e patolerueshme gjatë sezonit të kaluar. Ndërkohë, pritet të dëgjohen oferta nga skuadrat që mund të jenë të interesuara për lojtarin, pasi duket qartësisht se ai nuk ka të ardhme te Siti dhe thjesht po i zë vendin një lojtari tjetër që do të kishte më shumë hapësira në radhët e ekipit të Mançinit.
Ky i fundit pritet të dalë para mediave dhe të sqarojë vetë situatën e krijuar dhe të japë mendimet e fundit mbi lojtarin, të cilin e ka mbrojtur fuqimisht gjatë gjithë kësaj kohe. Pak kohë më parë, pikërisht trajneri italian deklaroi se sheiku Mansur adhuronte Balotelin dhe faktin që ai ishte një personazh problematik, pasi sillte interes të vazhdueshëm në klub dhe garantonte “reklamë falas”, ndonëse në të shumtën e rasteve imazhi i sulmuesit nuk ishte pozitiv. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 09:35