Mario Baloteli është i sigurt se këtë sezon ai është rritur më shumë duke u sjellë mirë si në fushë, ashtu dhe jashtë saj. Ylli i Mançester Sitit ka treguar për “La Gazzetta Dello Sport” se formën që po kalon e tregojnë më së miri golat e shënuar, ndonëse shfaqet më rregullisht në faqet e tabloideve britanikë për gjërat që ndodhin jashtë fushës.
“Këtë sezon kam shënuar 14 gola dhe mund të them se intensiteti dhe përpjekjet që bëj gjatë stërvitjeve nuk mund të krahasohen me ata të sezonit të kaluar. Tani jam rritur dhe kam kuptuar disa gjëra”, tha ai.
Por vetëm pak ditë më partë, ai bëri një tjetër “bëmë”, duke u fotografuar me shokët e tij duke dalë nga një lokal striptize, gjë që detyroi trajnerin Mançini ta gjobiste dhe ta këshillonte që të martohej.
“A mendoj për martesën? Nuk është herët për mua. Koha e duhur është kur gjen personin e duhur dhe e dashura ime Rafaela, është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë. Si reagoi ajo kur mori vesh që kisha shkua në një lokal striptize? Edhe unë do të isha inatosur nëse do të mësoja që ajo shkonte në lokal striptize meshkujsh me shoqet e saj. Por unë nuk kam bërë asgjë të gabuar në atë lokal, ndoshta gabim ishte se shkova atje dy ditë para ndeshjes”, tha sulmuesi.
Ai ka pranuar se e vetmja gjë për të cilën është mërzitur seriozisht, ishte mos-grumbullimi me kombëtaren italiane për miqësoren me SHBA. “Mbeta shumë i zhgënjyer. Gjëja që më tërheq më shumë është fanella e kombëtares italiane, as ajo e Barcelonës, as ajo e Realit. Ka një kod etike dhe më duhet ta respektoj, por e përsëris që nuk kam bërë asgjë gabim për të mos u grumbulluar. I dërgova një SMS trajnerit Prandeli dhe i tregova që jam i qetë dhe po stërvitem mirë. Pastaj e falënderova, pasi ai gjithmonë ka patuar besim te unë”, përfundoi Baloteli. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 March 2012 12:30