Reali i Madridit nuk gjen paqe me dëmtimet. Pas James Rodriguez dhe mbrojtësit brazilian Danilo në infermierinë e Los Blancos kanë përfunduar edhe dy lojtarë të tjerë të formacionit titullar, pikërisht Gareth Bale dhe Sergio Ramos. Ajo që shqetëson më shumë në shtëpinë e klubit merengues është gjëndja e sulmuesit uellsian.
Me dëmtimin që pësoi në sfidën e Championsit ndaj Shakthar Donetsk Bale rrezikon të humbasë derbin e parë të këtij sezoni ndaj Atleticos së Madridit që do të zhvillohet 4 Tetorin e ardhshëm në Vicente Calderon.
26-vjecari britanik doli nga fusha i dëmtuar në minutën e 26-të të sfidës ndaj ekipit ukrainas dhe rrezikon të mungojë nga 3 deri në 4 javë. Ende nuk është përcaktuar plotësisht shkalla e dëmtimit të Bale pasi uellsiani në ditët në vazhdim do tu nënshtrohet të tjera analizave por nëse provat tregojnë që ish lojtari i Tottenhamit ka pësuar një tërheqje të muskulit në këmbën e majtë minimalisht mund të mungojë 2 javë dhe ndoshta mund të jetë gati për derbin me Atleticon.
Gjithsesi kjo është prognoza më optimiste e mundshme pasi gjasat janë që uellsiani të rikthhet në fushë pas 3 ose 4 javësh. E sigurtë është që Bale do të mungojë në 4 takimet e ardhshme të Realit, ndaj Granadas, Athletic Bilbaos dhe Malagas në La Liga dhe Malmoes në Champions League. Në takimin e kësaj fundjave Los Blancos do të vuajnë edhe mungesën e Sergio Ramos i cili gjithashtu u largua i dëmtuar nga sfida me Shaktharin.
Qëndërmbrojtësi spanjoll vuan një lëndim të gradës së dytë në shpatullën e majtë si pasojë e një dyluftimi që pati me Stepanenkon dhe do nuk do të jetë ndaj Granadës, gjithsesi te Reali shpresojnë ta kenë të gatshëm Ramosin për sfidën e javës së 5-të La Ligas në transfertë ndaj Athletic Bilbaos mesjavën e ardhshme.
Thursday, 17 September 2015 13:34