Tiranë – Futbollisti shqiptar, Elis Bakaj, pas rikthimit të tij tek Dinamo e Bukureshtit, pas paraqitjes me kombëtaren shqiptare në fitoren 1-0 ndaj Bjellorusisë, ka folur për mediat rumune në lidhje me ecurinë e Shqipërisë dhe Rumanisë në eliminatoret e Euro 2012.
Bakaj, i cili u aktivizua në minutën e 75-të të ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi (1-0), për grupin D eliminator, tha se përfaqësuesja kuq e zi i ka mundësitë për të qenë një kandidate e mundshme për t’u kualifikuar në finalet e Euro 2012.
“Ishte një ndeshje ku kemi luajtur të gjitha ose asgjë, sepse ajo ishte shumë e rëndësishme për t’u fituar dhe për të vazhduar të luftojmë për vendin e dytë në grup. Tani jemi një konkurrent real për t’u kualifikuar”, citohet Bakaj nga faqja rumune “Jurnanul.ro”.
“Nuk mendoj se Bosnja do të pezullohet. Dua të luaj kundër tyre. Kjo është puna ime si një lojtar. Nuk pres që Rumania do të jetë aq e dobët në keto eliminatore. Mendoj se ata kanë kohë të rikuperojnë pikët e humbura”, tha Bakaj.
“Tani në Evropë diferenca midis ekipeve të mëdha dhe të vogla nuk është aq e madhe. Kjo e bën më të bukur futbollin, pasi edhe ekipet e vogla mund të bëjnë mrekullira. Shqipëria ka tetë pikë dhe Rumania ka pesë, kështu teorikisht ne kemi më shumë mundësi për t’u kualifikuar, por këtë do ta shohim në fund”, shprehet Bakaj.
Ish-lojtari i Dinamos së Tiranës foli edhe për synimet e tij me ekipin e Dinamos së Bukureshtit.
“Synimi im si lojtar i Dinamos është të fitoj Kupën e Rumanisë, e më pas do të mendojmë për kampionatin”, tha Bakaj.
Thursday, 31 March 2011 17:08