Tiranë – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare dhe i Dinamos së Bukureshtit në Rumani, Elis Bakaj, shënoi sot golin e dytë në fitoren 3-0 të Dinamos së Bukureshtit kundër Gloria Bistrica.
Mesfushori i avancuar realizoi në minutën e 47-të, me një gjuajtje të bukur nga rreth 14 metra. Ganea hapi takimin në të 21-ën, ndërsa Torje i mbylli llogaritë në minutën e 74-t.
Për Bakajn bëhet fjalë për golin e tij të dytë në Rumani pas atij të shënuar kundër Unirea Urziceni (3-1), takim ku edhe fitoi një penallti e dha një asist.
Lojtari i kombëtares luajti si titullar në ndeshjen e tij të 11-të në kampionatin rumun (5 si titullar) dhe vinte në këtë takim pas një paraqitjeje mjaft të mirë në fitoren 1-0 në derbin ndaj Steauas në fundjavë.
Dinamo e Bukureshtit tashmë gjendet në vendin e 4-t, me 6 pikë më pak se skuadra kryesuese e Timisoarës dhe shpreson të fitojë kampionatin dhe Kupën e Rumanisë, ku ka fituar gjysëmfinalen e parë me rezultatin 2-0.
Thursday, 28 April 2011 18:05