Drejtuesit e Bajern Mynih do të marrin këtë fundjavë trofeun e titullit kampion në atë që është ndeshja e fundit e sezonit në fushën e tyre, derbi bavarez ndaj Augsburg. Për të bërë atmosferën e këtij titulli rekordesh sa më të paharrueshme, drejtuesit u kanë kërkuar tifozëve që të vijnë në stadium me kostume tradicionale.
Meqenëse pas ndeshjes do të organizohet edhe ceremonia e dhënies së titullit, drejtuesit e klubit mendojnë se për t’i dhënë ngjyra më bavareze këtij trofeu, të gjitha tifozët në “Allianz Arena” duhet të paraqiten me kostumet tradicionale të kësaj krahine, një organizim unik në llojin e vet.
Më pas, një gjë të tillë do ta bëjë edhe skuadra e cila, do të festojë në autobus të hapur në rrugët e qytetit para se të shkojë në Bashkinë e qytetit, në ballkonin e të cilës bëhet zakonisht aktiviteti që mbyll festimet e titullit.
Kuptohet që për bavarezët, kjo festë në fundjavë do të jetë “prova gjenerale”, pasi shpresojnë që një gjë të tillë ta përsëritin edhe dy herë të tjera para mbylljes së këtij sezoni, pas finales së Kupës së Gjermanisë, por sidomos pas finales së Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 09:14