Kur kanë mbetur edhe 6 ndeshje deri në përfundimin e Bundesligës, Bajern Mynih është kthyer fuqimisht në garë për titullin kampion, i cili do të vendoset nga vizita e kësaj skuadre në Dortmund. Kjo është arsyeja pse drejtori sportiv i bavarezëve, Kristian Nerlinger, beson se titulli është përsëri në duart e tyre.
“Përmbledhja e fundjavës është se gjithçka është përsëri në duart tona, në të tre turnetë që marrim pjesë. Kam besim të jashtëzakonshëm te kjo skuadër që kemi ndërtuar. Lojtarët po tregojnë se mund të përshtaten me një ndeshje çdo tre ditë dhe që janë fizikisht në formë të shkëlqyer. Po pres me padurim ndeshjet e ardhshme”, tha ai.
Finalja e Ligës së Kampioneve zhvillohet në “Allianz Arena” dhe ky fakt ka qenë një shtysë e madhe deri tani për bavarezët që janë thuajse të kualifikuar në gjysmëfinalet e turneut falë fitores 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Marsejës në fushën e këtyre të fundit.
Ndërkohë, me 12 maj, Bajern luan finalen e Kupës përballë Borusia Dortmund, në atë që është kthyer në duelin kryesor të sezonit.
“Vazhdojmë të themi se duhet të fitojmë çdo ndeshje të mbetur në këtë sezon”, ishte premtimi i Arjen Roben. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 April 2012 08:37