Bajern Mynih ka treguar se nuk ka hequr dorë nga titulli kampion, duke regjistruar një fitore domethënëse 7-1 në shtëpi përballë Hofenhaim. Bavarezët treguan se janë në formë të shkëlqyer vetëm 4 ditë para ndeshjes së tyre vendimtare në Ligën e Kampioneve përballë Bazelit, ndërsa sulmuesi kryesor i kësaj skuadre, Mario Gomez, shënoi tre gola në këtë sfidë.
Arjen Roben shënoi dy gola, ndërsa lista e golashënuesve të Bajern u plotësua nga Kros dhe Riberi, të cilët i shkaktuan Hofenhaim humbjen e parë që kur drejtimin e skuadrës e mori Markus Babel. Si për ironi të fatit, edhe goli i Hofenhaim u shënua nga një futbollist i Bajern, pasi Luis Gustavo dërgoi topin në portën e tij në minutën e 85-të.
Ndërkohë, kryesuesit e Borusia Dortmund janë ndalur në një barazim pa gola në fushën e Augsburg, duke bërë që diferenca në kreun e renditjes të shkurtohet në 5 pikë. Në barazim pa gola është ndalur edhe një tjetër skuadër pretendente, Borusia Mynshengladbah, që ka regjistruar një rezultat 0-0 në fushën e vet përballë Fraiburg. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Bajern Mynih-Hofenhaim 7-1
Mainc-Nyrenberg 2-1
Këln-Herta 1-0
Volfsburg-Leverkusen 3-2
Borusia M’gladbah-Fraiburg 0-0
Augsburg-Borusia Dortmund 0-0
Renditja
Borusia Dortmund 56, Bajern Mynih 51, Borusia Mynshengladbah 48, Shalke 44, Bajer Leverkusen 40, Verder Bremen 36, Hanover 35, Shtutgart 33, Nyrenberg 31, Volfsburg 31, Mainc 30, Hofenhaim 30, Këln 28, Hamburg 27, Herta 23, Augsburg 23, Fraiburg 22, Kaizerslautern 20.
Saturday, 10 March 2012 20:59