Presidenti i Bajern Mynih, Uli Hënes, ka hedhur poshtë hipotezën e firmës me yllin e ri brazilian, Neimar. Sulmuesi ka një kontratë me Santosin deri në vitin 2014, por mendohet se ai do të rinovojë me këtë klub para largimit nga Brazili, në mënyrë që të sjellë disa të ardhura në arkat e klubit.
“Nuk mendoj se në vitet e ardhshme do të blejmë një lojtar që kushton më tepër sesa Havi Martinez”, konfirmoi Hënes, duke bërë të qartë se nuk do të tentonin të thyenin rekordin e vendosur një vit më parë me blerjen për 40 milion euro të spanjollit nga Atletik Bilbao.
Ndonëse vetë futbollisti ka lënë të hapur mundësinë e një transferimi në Gjermani, menaxheri i tij vendosi ta hidhte poshtë këtë hipotezë.
“Neimar te Bajern? Nuk ma merr mendja, jo, kjo është një temë mjaft delikate”, tha ai, duke bërë që të kthehen spekulimet për një parakontratë të lojtarit me Barcelonën. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 February 2013 09:20